Partia Socialiste e Shqipërisë ka marrë pjesë në Kongresin Zgjedhor të Partisë Social-Demokrate gjermane (SPD), një nga partitë më me peshë të së majtës europiane, duke konfirmuar edhe një herë lidhjet e forta me familjen progresiste europiane dhe angazhimin e palëkundur për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Delegacioni i PS u përfaqësua nga Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi, dhe Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë, Romina Kuko. Gjatë punimeve të Kongresit, ata zhvilluan takime me liderin e sapozgjedhur të SPD-së, Lars Klingbeil, si dhe me përfaqësues të tjerë të lartë të së majtës europiane.
Në këto takime, u theksua qartësisht mbështetja e vazhdueshme e social-demokratëve gjermanë dhe partive simotra për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Sipas Klosit, bashkëbisedimet konfirmuan jo vetëm mbështetjen politike, por edhe besimin që partnerët evropianë kanë tek reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe PS.
“Patëm kënaqësinë të zhvillonim takime me përfaqësues të lartë të socialistëve evropianë, të cilët po ashtu janë mbështetës të rrugës sonë europiane,” u shpreh ai pas takimeve, duke theksuar se “Partia Socialiste e Shqipërisë vijon të përfaqësohet me të gjithë kapacitetin dhe të japë shembullin e saj me reformat në qeverisjen e vendit dhe procesin e integrimit në familjen e madhe europiane”.
Kjo pjesëmarrje vjen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE-së, teksa vendi përgatitet për faza të reja në procesin e negociatave të anëtarësimit. Për PS, përfshirja aktive në forume ndërkombëtare si ai i SPD-së tregon se Shqipëria jo vetëm që ka miq të rëndësishëm në Europë, por edhe se mbetet një faktor i angazhuar në avancimin e vlerave progresiste dhe bashkëpunimit politik në nivel kontinental.




