LaM vjen në Padova këtë vjeshtë e cila do të bëhet epiqendër e artit modern europian, duke pritur në muret e saj disa nga kryeveprat më të rëndësishme të shekullit XX. Falë një marrëveshjeje të veçantë me Lille Métropole Musée d’art moderne, d’art contemporain et d’art brut (LaM), në Palazzo Zabarella do të çelet ekspozita e shumëpritur “Modigliani, Picasso dhe zërat e modernitetit”, një udhëtim magjepsës përmes avangardave europiane të fillim-shekullit.
Kjo ekspozitë vjen si rezultat i trashëgimisë së çmuar të koleksionistit francez Roger Dutilleul, i cili që në vitin 1905 nisi të ndërtonte një nga koleksionet më të pasura dhe të guximshme të artit modern. I pari francez që u apasionua pas Kubizmit, Dutilleul ishte një mbështetës i zjarrtë i artistëve që në kohën e vet shpesh konsideroheshin të pazakontë. Me kalimin e viteve, koleksioni i tij u zgjerua dhe iu dhurua qytetit të Lille, duke i dhënë jetë muzeut prestigjioz LaM – sot një nga institucionet më të rëndësishme të artit modern në Europën Veriore.
Ekspozita, kuruar nga Jeanne-Bathilde Lacourt, sjell në Palazzo Zabarella 65 vepra të 30 artistëve, që mishërojnë frymën revolucionare të artit modern europian. Vëmendje e veçantë i kushtohet Amedeo Modiglianit, përmes gjashtë veprave të rralla, mes të cilave “Moïse Kisling”, “Djali me flokë të kuq”, “Nudo ulur me këmishë” dhe “Materniteti”. Këto vepra përfaqësojnë periudha të ndryshme të krijimtarisë së Modiglianit dhe ilustrojnë marrëdhënien e tij të ngushtë me Dutilleul, një nga figurat kyçe në afirmimin e tij artistik.
Pablo Picasso, emri më i madh i artit modern, do të jetë gjithashtu i pranishëm me pesë piktura, duke e bërë këtë ekspozitë një pikëtakim të domosdoshëm për dashamirësit e artit. Në seksionin e dedikuar Kubizmit, ai do të shoqërohet nga Georges Braque dhe Fernand Léger, të cilët gjithashtu gëzonin mbështetjen e pandërprerë të koleksionistit francez.
Ekspozita nuk ndalet me emrat klasikë: ajo përfshin edhe vepra nga Joan Miró, Alexander Calder, Bernard Buffet, Youla Chapoval dhe André Lanskoy, ky i fundit një artist abstrakt me origjinë ruse që gëzoi mbështetjen e Dutilleul për më shumë se 15 vjet.
“Modigliani, Picasso dhe zërat e modernitetit” do të jetë e hapur për publikun në Palazzo Zabarella nga 16 tetori 2025 deri më 25 janar 2026, duke ofruar një përvojë të rrallë dhe të pasur për të gjithë ata që kërkojnë të kuptojnë rrënjët dhe zhvillimin e artit modern në Evropë. Një ngjarje që e kthen Padovën në një skenë të rëndësishme të kulturës ndërkombëtare dhe një homazh për vizionin dhe pasionin e koleksionistëve që ndryshuan historinë e artit.




