Shalqiri dhe pjepri janë dy nga frutat më të dashura dhe freskuese për të përballuar temperaturat e larta në kulmin e verës. Por pas shijes së tyre të ëmbël dhe pamjes së pafajshme, fshihet një rrezik real për shëndetin – një gabim i zakonshëm që shumica e konsumatorëve e bëjnë pa u menduar dy herë: moslarja e tyre përpara konsumit.
Ekspertët e sigurisë ushqimore paralajmërojnë se, edhe pse lëkura e shalqirit dhe pjeprit nuk konsumohet, ajo mund të jetë burim i bakterieve të rrezikshme që përfundojnë drejtpërdrejt në pjesën e brendshme të frutit kur pritet me thikë. Frutat që rriten në tokë janë të ekspozuara ndaj dheut, pluhurit, ujërave të ndotura dhe plehrave, dhe më pas kalojnë nëpër duart e shumë personave gjatë korrjes, transportit dhe shitjes.
“Kur prisni një shalqi ose pjepër pa e larë më parë, të gjitha bakteret që ndodhen në lëkurë transferohen në brendësi përmes thikës – aty ku i konsumoni të gjalla”, shpjegon Dr. Darin Detwiler, profesor i sigurisë ushqimore në Universitetin Northeastern.
Sipas tij, lëkura e pjeprit është edhe më problematike, për shkak të strukturës së saj të ashpër që mban më shumë papastërti sesa ajo e shalqirit. Kjo e bën larjen e pjeprit jo vetëm të nevojshme, por të domosdoshme.
Ndryshe nga shumë ushqime të tjera që gatuhen dhe nxehtësia vret bakteret, frutat si shalqiri dhe pjepri konsumohen të freskëta. Kjo i jep mundësinë mikroorganizmave si salmonela, listeria dhe E. coli të mbijetojnë dhe të përfundojnë në sistemin tretës të njeriut, duke shkaktuar simptoma si të përziera, të vjella, diarre dhe dhimbje barku – shpesh disa orë ose ditë pas konsumit.
Si të mbroni veten dhe familjen tuaj?
-
Lajini frutat me ujë të bollshëm, edhe nëse nuk do ta konsumoni lëkurën.
-
Fërkojini me një sfungjer ose furçë kuzhine, veçanërisht pjeprin.
-
Thajini me letër të pastër kuzhine, për të shmangur lagështirën që ndihmon rritjen bakteriale.
-
Pasi t’i keni prerë, konsumojini menjëherë ose ruajini në frigorifer brenda dy orëve, në një temperaturë më të ulët se 4°C.
-
Mos i mbani më gjatë se 3-4 ditë të prera në frigorifer.




