Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari, gjatë një interpelance parlamentare të kërkuar nga deputeti i PL-së Tedi Blushi, hodhi poshtë akuzat për trajtim të veçantë apo çnjerëzor ndaj Ilir Metës.
Lamallari u ndal te raporti i Avokatit të Popullit, duke sqaruar se në asnjë moment nuk është përdorur termi “çnjerëzor” dhe se raporti në fjalë është ende nën shqyrtim. Sipas tij, nuk ka nisur hetim administrativ në IEVP Jordan Misja dhe nuk ekziston asnjë element i persekutimit politik.
Ministri theksoi se të gjithë të paraburgosurit trajtohen në mënyrë dinjitoze dhe se, sipas ligjit, janë të barabartë para tij.
“E kuptoj kërkesën për vëmendje të veçantë ndaj të paraburgosurit Meta, por nuk ka trajtim të diferencuar. Pretendimet janë të pabazuara dhe nuk ka cënim të të drejtave apo të shprehjes”, deklaroi Lamallari.




