Madrid / Lisbonë – Reshje të dendura shiu të shkaktuara nga stuhia Leo kanë vënë në rrezik përmbytjeje dhjetëra lumenj dhe diga në Spanjë dhe Portugali, vetëm një javë pas stuhisë Kristin, e cila la gjashtë viktima dhe mijëra persona pa energji elektrike.
Në rajonin e Andalusisë, në jug të Spanjës, 14 lumenj dhe 10 diga janë vlerësuar në nivel “ekstrem” rreziku për tejmbushje, për shkak të tokës së ngopur nga reshjet e mëparshme, deklaroi Antonio Sanz, drejtues i departamentit të Brendshëm të qeverisë rajonale.
Në Portugali, autoritetet kanë ngritur nivelin e alarmit në maksimum deri të paktën të premten, duke paralajmëruar rrezik të lartë për përmbytje në disa basene ujore. Në qytetin Alcácer do Sal, rreth 90 kilometra në jug të Lisbonës, lumi Sado doli nga shtrati, duke përmbytur pjesë të zonës urbane.
“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Është surreal,” tha banorja Maria Cadacha.
Kryetarja e bashkisë, Clarisse Campos, konfirmoi se zona e poshtme e qytetit dhe bregu janë tërësisht të përmbytura, ndërsa autoritetet po vlerësojnë evakuimin e banorëve në rrezik.
Në Spanjë, situata u përshkrua si kritike edhe në bashkinë e Grazalema, ku sistemi i kanalizimeve u mbingarkua dhe uji depërtoi në banesa. Në Ubrique, provinca e Cádiz-it, shembja e një muri shtëpie la të plagosur një person.
Autoritetet andaluziane evakuuan të paktën 3.500 banorë, pezulluan mësimin, kufizuan lëvizjet dhe angazhuan 1.200 efektivë emergjencash dhe 400 ushtarakë për menaxhimin e situatës.
Agjencia shtetërore spanjolle e motit, AEMET, paralajmëroi reshje intensive dhe të vazhdueshme në Andalusi, Spanjën qendrore dhe Galici deri të shtunën, me rrezik rrëshqitjesh dhe dëmesh në infrastrukturë.
Në Portugali, Shërbimi Kombëtar i Mbrojtjes Civile njoftoi se niveli i ujërave pritet të rritet edhe në ditët në vijim, ndërsa forcat e armatosura kanë angazhuar 1.600 efektivë, përfshirë njësi detare me 35 gomone shpëtimi.




