Një grabitje e armatosur me eksploziv u regjistrua mëngjesin e sotëm në autostradën A613 që lidh Leccen me Brindisin në Itali, ku një grup grabitësish të maskuar bllokuan qarkullimin dhe shkatërruan një mjet të blinduar që transportonte para.
Sipas mediave italiane, autorët përdorën automjete të kamufluara si makina policie, të pajisura me drita sinjalizuese të rreme, ndërsa ishin të veshur si agjentë sigurie të kompanisë së transportit të parave.
Pamjet filmike tregojnë momentin kur mjeti i blinduar ndalon në mes të autostradës, përpara se të vendosej eksplozivi dhe autorët të largoheshin me shpejtësi.
Policia italiane reagoi menjëherë, duke nisur një operacion të gjerë kërkimi. Pak më vonë, një automjet Alfa Romeo i përdorur gjatë grabitjes u gjet i braktisur në një zonë rurale.
Në afërsi u ndalua një burrë i paarmatosur, ndërsa një person i dytë u arrestua teksa tentonte të largohej në këmbë.
Autoritetet dyshojnë se grupi përbëhej nga më shumë se katër persona.
Hetimet vijojnë për identifikimin e të gjithë autorëve dhe sqarimin e plotë të dinamikës së grabitjes, ndërsa kërkimet për persona të tjerë të dyshuar janë ende aktive.




