Idiot ndërkombëtar, ishte reagimi i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas deklaratës së prokurorit special në Gjykatën e Hagës, gjatë seancës së dytë të procesit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u përmend roli i Hashim Thaçit në raport me ndërkombëtarët.
Reagimi i Ramës u bë përmes një postimi në Facebook, ku ai shpërndau një moment nga deklarata e Prokurorisë Speciale, shoqëruar me përshkrimin: “Çfarë idioti ndërkombëtar”.
Në pretencë, Prokurori Special pretendoi se Hashim Thaçi kishte gënjyer disa herë përfaqësues ndërkombëtarë, duke ndikuar në perceptimin e tyre mbi funksionimin e UÇK-së, strukturën e komandës dhe rolin e ish-eprorëve gjatë luftës në Kosovë.
Sipas Prokurorit, figura ndërkombëtare si James Rubin dhe Wesley Clark nuk kishin kuptuar realitetin e brendshëm të organizatës, pasi, sipas akuzës, Thaçi ishte i aftë të maskonte zhvillimet reale.
“Ata nuk e dinin se Thaçi mund të bënte emërime ushtarake…”, u shpreh përfaqësuesi i Prokurorisë gjatë seancës.
Prokuroria ka kërkuar dënime deri në 45 vjet burg për secilin nga katër të akuzuarit, për rolin e tyre të pretenduar si ish-eprorë të UÇK-së gjatë luftës në Kosovë, ndërsa procesi gjyqësor vijon në Gjykatën Speciale në Hagë.




