Mazhoranca parlamentare ka përzgjedhur Selami Xhepa, Holta Zaçaj dhe Matilda Shehu si tre kandidaturat që do t’i nënshtrohen votimit për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Gjatë dëgjesave në Komisionin për Ekonominë, kandidatët paraqitën prioritetet e tyre profesionale. Xhepa theksoi nevojën për modernizimin e kuadrit rregullator përballë zhvillimeve të reja monetare dhe forcimin e mbrojtjes së konsumatorit. Zaçaj vuri theksin te transparenca dhe balancimi i pavarësisë institucionale me llogaridhënien publike. Shehu propozoi krijimin e ombudsmanit financiar dhe thellimin e zbatimit të standardeve ESG në sistemin bankar.
Procesi i zëvendësimit nisi pas përfundimit të mandateve të disa anëtarëve në fund të vitit 2025. Sipas ligjit në fuqi, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës emërohen nga Kuvendi, mbi bazën e propozimeve përkatëse.




