Lady Gaga do të realizojë një film koncerti për turneun “The Mayhem Ball”, i cili do të xhirohet gjatë katër netëve në Kia Forum në Los Angeles. Projekti pritet të publikohet në një platformë streaming në fund të vitit 2026, pas interesimit të disa distributorëve ndërkombëtarë.
Regjinë do ta drejtojë britaniku Sam Wrench, i njohur për filmin e turneut “Eras” të Taylor Swift dhe për bashkëpunime të mëparshme me Christina Aguilera. Gaga dhe Wrench kanë punuar më herët në specialen “Chromatica Ball” për HBO.
Sipas një burimi pranë projektit, “Gaga ka investuar energji të jashtëzakonshme në këtë turne dhe synon një trajtim të plotë kinematografik”.
Turneu, i nisur në korrik të vitit të kaluar, përfshin 87 data në katër kontinente dhe pritet të përmbyllet në Madison Square Garden, pasi të ketë mbledhur mbi 1.3 milionë spektatorë.
Filmi i koncertit konsiderohet si pjesë e strategjisë së artistes për zgjerim në tregun global të streaming-ut dhe përforcim të pranisë së saj në prodhimet audiovizuale.




