Vrasja e El Mencho, liderit të kartelit Jalisco New Generation Cartel (CJNG) ka shkaktuar një valë të gjerë dhune në disa shtete të Meksikës, me autoritetet që shpallën gjendje alarmi dhe intensifikuan operacionet e sigurisë.
Sipas Ministrisë meksikane të Mbrojtjes, Oseguera Cervantes (El Mencho) u plagos rëndë gjatë një operacioni për arrestimin e tij në qytetin Tapalpa, në shtetin e Jalisco, dhe më pas ndërroi jetë. Katër anëtarë të kartelit u vranë gjatë përplasjes, ndërsa tre ushtarakë mbetën të plagosur.
Pas konfirmimit të vdekjes së tij, mbështetës të CJNG-së ngritën rreth 250 postblloqe në nivel kombëtar, duke djegur automjete dhe duke sulmuar objekte publike e private. Në qytetin Guadalajara u raportuan persona të armatosur në rrugë dhe kolona të mëdha tymi mbi zona urbane.
Guvernatori i Jalisco, Pablo Lemus Navarro, shpalli kodin e kuq, duke pezulluar transportin publik dhe aktivitetet arsimore. Autoritetet njoftuan për të paktën 25 të arrestuar dhe dëme në banka e biznese lokale.




