Shpërthime të reja janë raportuar në zonën e Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait, ndërsa media ndërkombëtare raportojnë për sulm me raketa nga Irani në kuadër të përshkallëzimit të konfliktit rajonal. Sipas raportimeve fillestare, pas goditjeve janë ndërmarrë masa për evakuim të menjëhershëm në perimetrin e aeroportit.
Deri në publikimin e këtij raporti, autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë dhënë një njoftim të detajuar mbi dëmet apo viktimat e mundshme. Operacionet ajrore në rajon janë prekur ndjeshëm, me fluturime të devijuara dhe pezullime të përkohshme për arsye sigurie.
Në të njëjtën kohë, media ndërkombëtare raportojnë për shpërthime edhe në qendër të Tel Avivit. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë njoftuar më herët se sistemet e mbrojtjes ajrore janë në gatishmëri për interceptimin e raketave.
Zhvillimet vijnë pas sulmeve të ndërmarra nga SHBA dhe Izraeli ndaj objektivave iraniane, duke thelluar përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe duke rritur shqetësimet për sigurinë rajonale.




