Ky sezon është i fundit për Sebastian Vettel. Piloti gjerman fitoi katër kampionate botërore radhazi (2010, 2011, 2012, 2013) me Red Bull. 35-vjeçari, anëtar i ekipit Aston Martin-Mercedes, është i 14-ti në renditjen e këtij viti. Ditën e sotme ai ka publikuar postimin e tij të parë në rrjetet sociale Instagram.
“Kam pasur privilegjin të punoj me shumë njerëz të mëdhenj në Formula 1 gjatë 15 viteve të fundit. Ka shumë për të kujtuar dhe falënderuar. Unë kam qenë pilot për Aston Martin për dy vitet e fundit dhe megjithëse rezultatet nuk kanë qenë aq të mira sa pritej, është e qartë për mua sesi po bashkohet gjithçka që skuadra të ketë atë që duhet për të konkurruar në nivelin më të lartë në vitet në vijim.
Janë të gjithë ambiciozë, të aftë, me përvojë, të përkushtuar dhe i uroj gjithë të mirat. Shpresoj se puna e bërë vitin e kaluar dhe këtë vit do të ndihmojë në zhvillimin e një ekipi që do të jetë i suksesshëm në të ardhmen. Do të punoj aq sa mundem deri në fund të sezonit me këtë synim, duke dhënë gjithçka në dhjetë garat e fundit si gjithmonë.
Vendimi për të dalë në pension ishte i vështirë për t’u marrë, kam kaluar shumë kohë duke menduar për të. Në fund të vitit dua të gjej kohë për të menduar se çfarë do të bëj më pas. Jam i sigurt që si baba duhet të kaloj më shumë kohë me familjen time”, deklaroi piloti gjerman, i cili gjithashtu garoi për Ferrarin mes viteve 2015 dhe 2020.




