Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka deklaruar se vendi i tij ka arritur një “fitore” kundër Izraelit, duke e quajtur regjimin izraelit “të rremë” dhe duke e përshkruar rezultatin si një arritje kombëtare.
Përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter), Khamenei shkruan:
“I uroj popullit iranian fitoren mbi regjimin e rremë sionist.”
Ky mesazh u publikua përpara mbajtjes së një fjalimi të paralajmëruar, nga i cili pritet të dalin linjat kryesore mbi pozicionin zyrtar të Teheranit pas zhvillimeve të fundit në rajon.
Ndonëse detajet e “fitores” së pretenduar nuk janë sqaruar, deklarata e liderit iranian vjen në një moment tensioni të lartë mes Iranit dhe Izraelit, pas përshkallëzimeve të fundit në Lindjen e Mesme.
Vëzhguesit ndërkombëtarë presin me vëmendje fjalën e plotë të Ayatollah Khameneit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar kërkon qetësim të situatës në një rajon të ndjeshëm dhe të polarizuar.




