Në një seancë të tensionuar parlamentare, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, zhvilloi një përplasje të ashpër verbale me ish-kryeministrin dhe liderin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në fokus të debatit ishte rikthimi i Ilir Metës në listat zgjedhore të opozitës për vitin 2025.
Duke ironizuar opozitën si një “fat i madh për Partinë Socialiste, por fat i zi për Shqipërinë”, Taulant Balla akuzoi Berishën për qëndrime të dyfishta dhe hipokrizi politike. Ai rikujtoi se dikur Berisha e kishte cilësuar Ilir Metën si të përfshirë në “vjedhje floriri dhe vrasje”, ndërsa sot e promovon si kandidat për deputet.
“Strategjia jote ka qenë gjithmonë të baltosësh kundërshtarin politik: akuzoje për narkotrafik, për vrasje. Po kujton çfarë i ke thënë Ilir Metës? E ke quajtur ‘kriminel’, e ke akuzuar për grabitje floriri dhe për vrasje. Sot, në vitin 2025, e vendos në listë për deputet, duke hequr madje Dash Sulën për t’i lënë vendin Metës”, – deklaroi Taulant Balla.




