Aktori i njohur hollivudian Brad Pitt ka tërhequr vëmendjen e publikut me një intervistë të sinqertë dhe të ngarkuar emocionalisht gjatë pjesëmarrjes së tij në podcast-in “Armchair Expert”, të drejtuar nga Dax Shepard. Në një bisedë që ndërthuri humorin me reflektimin personal, Pitt preku tema që rrallëherë i ka ndarë publikisht më parë.
I pyetur me shaka për ndonjë përvojë intime me një burrë, 61-vjeçari reagoi me sinqeritet e një dozë ironie:
“Nuk kam pasur kurrë një përvojë me një burrë,” – tha ai, duke shtuar në të njëjtin ton humoristik: “Jam pak me vonesë, por nëse do ta kisha bërë, nuk do të ishe ti ai që do të vinte.”
Pitt vazhdoi me të njëjtën frymë, duke e renditur mikpritësin Shepard “të 14-in apo të 15-in” në një listë imagjinare të përvojave të tilla. Reagimi shkaktoi të qeshura në studio, dhe Shepard, duke ruajtur tonin e lehtë, u përgjigj me batutë: “Do të duhet të përgatitesh mirë për mua.”
Megjithëse deklarata ishte pjesë e një momenti humoristik, reagimi i Pitt ka nxitur diskutime në rrjete sociale dhe media ndërkombëtare, për shkak të natyrës së hapur të përgjigjes së tij dhe faktit që rrallë komenton mbi jetën personale në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë.
Pjesa më prekëse e intervistës erdhi kur aktori foli për periudhën e vështirë që kaloi pas ndarjes me Angelina Jolie në vitin 2016. Ai rrëfeu se u përball me probleme serioze të shëndetit mendor dhe vendosi të kërkojë ndihmë profesionale përmes pjesëmarrjes në grupet e ‘Alkoolistëve Anonimë’.
“Kisha nevojë të vija në vete. Isha në një periudhë të errët dhe provova gjithçka që më ofronin. Ishte koha për një rifillim,” – deklaroi Pitt. Ai qëndroi në trajtim për një periudhë prej një viti e gjysmë dhe tregoi se, megjithëse në fillim ndjeu frikë për të ndarë hapur varësinë e tij, shpejt u inkurajua nga të tjerët që bënin të njëjtën gjë.
Pitt shtoi se është rritur në një mjedis ku meshkujt mësoheshin të mos tregojnë dobësi, çka e bëri procesin edhe më sfidues.
“U rrita në një kulturë ku burrat gjithmonë duhej të dukeshin sikur gjithçka ishte në rregull,” – tha ai. “Por kur del nga zona e rehatisë, fillon të shërohesh. Dhe më pëlqeu.”




