Në tregun shqiptar, çmimi i frutave dhe produkteve bujqësore vazhdon të rritet ndjeshëm nga fusha deri në tregun final, duke rënduar si mbi konsumatorët ashtu edhe mbi fermerët. Të dhënat tregojnë se produktet bujqësore, nga momenti që dalin nga ara e deri sa mbërrijnë në tryezën e qytetarëve, dyfishojnë ose trefishojnë vlerën e tyre – dhe jo për shkak të cilësisë apo vështirësive prodhuese, por për shkak të zinxhirit të ndërmjetësve dhe abuzimeve në treg.
Në fshatin Imësht të Lushnjës, një zonë e njohur për prodhimin e frutave të freskëta, çmimi i shalqirit në fushë është vetëm 20 lekë për kilogram. Por në Tiranë, vetëm 105 km më larg, i njëjti produkt shitet deri në 50-60 lekë për kg, në varësi të zonës ku ndodhet dyqani apo markata.
Fermeri Regont Beqiri, i cili kultivon rreth 100 hektarë me shalqi, shpreh shqetësimin se një pjesë e konsiderueshme e fitimit përfundon në duart e ndërmjetësve.
“E marrin me 20 lekë në fushë dhe e shesin me trefish në treg. Në këtë mënyrë na digjet prodhimi dhe nuk marrim asnjë fitim,” – shprehet ai, duke theksuar se situata e ka çuar disa herë në prag falimentimi.
“Kam humbur 100 mijë euro në dy vite. Shalqiri nuk u shit as për 40 lekë. Vetëm punëtori do 20 lekë, 10 lekë shkojnë për transport. U kalb në fushë!”
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar me një analizë të detajuar mbi shkaqet që po çojnë në rritjen e çmimeve të frutave dhe perimeve në treg. Sipas tij, ndërmjetësit dhe tregjet me struktura monopol kanë krijuar një sistem që shton barrën financiare si për prodhuesit ashtu edhe për konsumatorët.
“Grumbulluesit kanë kosto të mëdha të magazinimit dhe transportit. Pastaj vijnë tregjet kryesore në hyrje të Tiranës, ku qiratë janë më të shtrenjta se në një qendër tregtare. Shtohen edhe tarifat e energjisë, ujit dhe kostoja për çdo arkë që shitet. Të gjitha këto kosto përkthehen në çmime më të larta për konsumatorët,” – u shpreh Braçe, duke cituar edhe raportin e Autoritetit të Konkurrencës.
Sipas tij, problemet thelbësore lidhen me mungesën e fiskalizimit, strukturën e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), si dhe politikat e gabuara të subvencioneve në bujqësi.
“TVSH-ja nuk funksionon si tatim mbi vlerën e shtuar, por si tatim mbi qarkullimin. Skema aktuale e subvencioneve duhet të ndryshojë – nuk mund të vazhdojmë të japim naftë falas dhe të subvencionojmë vetëm sipërfaqe. Subvencionimi duhet të bëhet për njësi prodhimi,” – deklaroi deputeti.
Zgjidhjet, sipas tij, janë të prekshme dhe ndodhen në tryezat e Ministrisë së Financave dhe asaj të Bujqësisë.
Eliminimi i ndërmjetësve, rikthimi i skemës së barabartë të TVSH-së për tregun e brendshëm, dhe reformimi i politikave të mbështetjes për bujqësinë, janë hapa të domosdoshëm për të ndalur këtë cikël abuzimi.
Ndërkohë, prodhimet cilësore shqiptare, të mbushura me shije dhe punë të palodhur, vazhdojnë të eksportohen drejt vendeve të BE-së. Por për vetë bujqit, çdo sezon mbetet një lojë me fatin – mes investimeve të mëdha dhe një çmimi që shpesh nuk u mbulon as koston e punës.
“Kam investuar 600-700 milionë lekë dhe më japin 2 milionë naftë. Ku është shteti për ne?” – pyet fermeri Beqiri.
Ky është realiteti i bujqësisë shqiptare: prodhues të ndershëm që punojnë në diell e në shi, dhe një sistem tregu që i lë ata me borxhe, ndërsa konsumatori përballet me çmime gjithnjë e më të larta.




