Kompania izraelite ADC është përzgjedhur për të ndërtuar qendrën e parë të të dhënave në Shqipëri, një projekt strategjik që do të realizohet në zonën e tregtisë së lirë TEDA në Kashar, pranë Tiranës, me një investim fillestar rreth 100 milionë euro.
Objekti do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 4.5 hektarësh tokë shtetërore, me mundësi zgjerimi, dhe do të ketë kapacitet fillestar 32 megavat, i zgjerueshëm deri në 100 megavat. Qendra do të përdorë teknologji grafike Nvidia Robin dhe do të furnizohet me energji të gjelbër nga burime hidroelektrike, sipas Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.
Leja e ndërtimit është dhënë brenda 60 ditëve, ndërsa infrastruktura energjetike dhe e komunikimit është përgatitur paraprakisht. Financimi i projektit mbështetet në masën 75% nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Sipas burimeve zyrtare, qendra ka siguruar tashmë tre klientë, përfshirë një kompani teknologjike shqiptare, një kompani gjermane dhe një institucion shtetëror shqiptar.
Projekti shihet si pjesë e orientimit të Shqipërisë drejt investimeve strategjike në teknologji, energji të rinovueshme dhe shërbime digjitale për tregun europian.




