Ali Shamkhani, Zyrtar i lartë iranian shfaqet në publik pas raportimeve të rreme për vdekjen e tij
Ali Shamkhani, i cili më parë ishte raportuar i vdekur si nga autoritetet iraniane ashtu edhe nga ato izraelite, është shfaqur sërish në ekran, duke vënë në dyshim raportimet paraprake për fatin e tij.
Mediat shtetërore iraniane transmetuan të shtunën një intervistë ekskluzive me Shamkhanin, ndihmës i afërt i udhëheqësit suprem të Iranit, në të cilën ai rrëfen për sulmin izraelit të 13 qershorit në shtëpinë e tij. Kjo shfaqje e tij mediatike vjen pas një periudhe dyshimesh dhe konfuzioni mbi statusin e tij, që u intensifikua pas raportimeve të ndryshme nga mediat iraniane dhe ato izraelite.
Të premten e kaluar, disa media iraniane si IRNA, Tasnim dhe Fars deklaruan se Shamkhani ishte “plagosur rëndë dhe po trajtohej në spital”, por nuk ofruan asnjë provë vizuale për të mbështetur këto pretendime. Ndërkohë, në funeralin shtetëror për viktimat e konfliktit 12-ditor me Izraelin, Shamkhani u shfaq në fotografi të publikuara nga mediat shtetërore, duke konfirmuar prezencën e tij.
Agjencia shtetërore IRIB transmetoi në të njëjtën ditë intervistën televizive të parë me Shamkhanin pas sulmit, ku zyrtari shihet duke përdorur një bastun ecjeje dhe një aparat për frymëmarrje. Ai përshkroi momentet dramatike të sulmit, duke treguar se ishte bllokuar nën rrënoja për tre orë. “Bëra lutjen e mëngjesit ndërsa isha nën rrënoja,” u shpreh Shamkhani.
Në intervistë ai tregoi edhe dëmet e shkaktuara në shtëpinë e tij, e cila sipas pamjeve të publikuara është shkatërruar totalisht. “Në fillim mendova se ishte tërmet, por më pas kuptova nga zhurma e automjeteve se ishte sulm,” tha ai, duke shtuar se ka pësuar lëndime të brendshme dhe se kafazi i tij i kraharorit është i thyer.
“E di pse më shënjestruan, por nuk mund ta them,” përfundoi Shamkhani, duke lënë të hapur një enigmë mbi motivet pas sulmit.
CNN, e cila ka përcjellë lajmin përmes agjencisë Telegrafi, thekson se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur asnjë nga detajet e intervistës apo kohën e regjistrimit të saj.




