Dosja për atentatin e ndodhur më 11 Nëntor 2025 pranë rreth-rrotullimit të aeroportit të Rinasit është përcjellë për hetim në SPAK, pasi Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën.
Sipas hetimeve paraprake, vrasja e Gilmando Danit dhe plagosja me pasojë vdekje e agjentit të AMP-së Muçi Shaljani alias “Sheqeri” dyshohet se janë realizuar nga një grup i strukturuar kriminal. Nga administrimi i provave, përfshirë pamjet filmike, rezulton se në atentat mund të kenë marrë pjesë disa persona, ku tre dyshohet të kenë qenë ekzekutorë.
Hetuesit dyshojnë se ngjarja lidhet me përplasje mes grupeve që operojnë në fushën e gjobëvënies. Zgjedhja e zonës së aeroportit, numri i pjesëmarrësve dhe ndërprerja e energjisë elektrike në momentin e atentatit konsiderohen elementë që tregojnë nivel të lartë organizimi.
Dani ishte i dënuar më herët për gjobëvënie në kuadër të grupit të drejtuar nga Emiljano Shullazi. Hetimet tashmë do të vijojnë nga struktura e posaçme për krimin e organizuar.




