Një draft i ri i paraqitur në Kuvend nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste parashikon ndryshime në ligjin për investimet strategjike, duke propozuar që subjektet me këtë status të mos i nënshtrohen procedurave të zakonshme konkurruese për ndërtimin dhe operimin e porteve turistike.
Sipas projektligjit, në rastet kur një port turistik përfshihet në një investim të miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), realizimi i tij do të kryhet drejtpërdrejt nga investitori. Drafti heq detyrimin që këto projekte të kalojnë nëpër gara të hapura koncesionare.
Argumenti kryesor i nismës është shmangia e vonesave procedurale dhe garantimi i “unitetit” të projektit investues. Në relacion theksohet se ndryshimet pritet të përshpejtojnë realizimin e projekteve turistike, të rrisin investimet në sektor dhe të nxisin zhvillimin rajonal.
Sa i përket ndikimit financiar, propozohet se masa nuk do të ketë kosto shtesë për buxhetin e shtetit, pasi zbatimi do të kryhet përmes strukturave ekzistuese si Ministria e Turizmit, Komiteti i Investimeve Strategjike dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
Sipas legjislacionit aktual, afati për investimet strategjike përfundon në vitin 2026, megjithatë dispozitat e miratuara më parë janë zgjatur disa herë. Skema ka qenë objekt debatesh për transparencën dhe trajtimin preferencial, ndërsa drafti i ri pritet të hapë një tjetër diskutim mbi balancën mes lehtësimit të investimeve dhe garancive konkurruese.




