Qarkullimi i trenave në Itali u përball me vonesa të konsiderueshme këtë fundjavë, në një moment kur vendi po pret Lojërat Olimpike Dimërore në Milano dhe Cortina d’Ampezzo. Ndikimi më i madh u regjistrua në aksin jug–qendër, veçanërisht mes Napolit dhe Romës, si edhe në linjën që vijon drejt Firences.
Autoritetet po shqyrtojnë dëmtimin e disa kabllove në segmentin e shpejtësisë së lartë, ndërsa nuk përjashtohet pista e ndërhyrjes së qëllimshme në infrastrukturë. Hetimet janë përqendruar në disa pika të ndryshme të rrjetit, ku janë konstatuar shenja të dëmtimit teknik ku ka dyshime për sabotim.
Matteo Salvini reagoi duke theksuar se çdo akt që cenon sigurinë e transportit publik përbën rrezik serioz për qytetarët dhe për imazhin e vendit gjatë një eventi ndërkombëtar si Olimpiada.
Incidenti pason episode të mëparshme në rrjetin hekurudhor gjatë javëve të fundit, përfshirë një rast pranë Bolonjës. Autoritetet po analizojnë nëse ekziston një lidhje mes ngjarjeve.
Italia po përjeton fluks të shtuar udhëtarësh për shkak të Lojërave, çka e bën stabilitetin e infrastrukturës hekurudhore një element kyç për lëvizjen kombëtare dhe ndërkombëtare.




