Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ngriti çështjen e procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së gjatë fjalës së tij në takimin e Bordit të Paqes në Uashington.
Ai iu drejtua Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke theksuar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet prej gjashtë vitesh në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë. Rama kritikoi mënyrën e funksionimit të kësaj gjykate, e cila financohet nga disa shtete perëndimore.
“Sot, Presidenti i Kosovës ka kaluar gjashtë vjet në një paraburgim nga një gjykatë e posaçme në Hagë, e sponsorizuar nga një sërë shtetesh demokratike, disa prej tyre të pranishme këtu dhe që duhet t’u vijë turp nga ajo lloj drejtësie ndërkombëtare”, u shpreh Rama.
Ai kërkoi angazhim ndërkombëtar përpara se situata të përkeqësohet, duke e lidhur çështjen me stabilitetin në rajon. Deklarata e tij vjen në një moment kyç për procesin gjyqësor në Hagë dhe për dialogun Kosovë–Serbi, i cili mbetet një prioritet për partnerët ndërkombëtarë.




