Edi Rama ka lëshuar një paralajmërim të prerë për individët dhe subjektet që kanë zënë hapësira publike në mënyrë të paligjshme. Gjatë një deklarate të bërë publike në kryeqytet, kreu i qeverisë u dha atyre një afat dyjavor për të liruar vullnetarisht këto ambiente, në të kundërt – tha ai – do të përballen me penalitete të ashpra, përfshirë edhe ndjekje penale për krime mjedisore dhe uzurpim prone publike.
“Hapësirat publike janë shndërruar në territore të abuzimit të hapur – që nga trarë të vendosur në mënyrë të paligjshme për parkim e deri te uzurpimi me struktura të përkohshme. Kjo situatë është bërë e padurueshme”, deklaroi Rama.
Ai sqaroi se në bashkëpunim me deputetët socialistë, drejtuesit lokalë dhe institucionet inspektuese, do të ndërmerret një fushatë dyjavore verifikimi në qytetet kryesore të vendit, për të evidentuar çdo rast abuzimi me pronën publike.
Përgjegjësi për ndërtuesit dhe bizneset në pallate
Një pjesë e rëndësishme e mesazhit të kryeministrit iu drejtua ndërtuesve dhe pronarëve të bizneseve në katet përdhese të pallateve, të cilët – sipas tij – kanë keqinterpretuar për vite me radhë konceptin e pronësisë mbi hapësirat përreth godinave.
“Asnjë individ nuk mund të pretendojë se toka rreth pallatit është pronë private. Ato janë ambiente të përbashkëta që i përkasin të gjithë komunitetit banor. Askush nuk ka të drejtë të vendosë trarë, barriera apo të aplikojë tarifa parkimi pa autorizim ligjor”, tha ai.
Thirrje për vetëkorrigjim dhe paralajmërim për ndërhyrje
Rama iu bëri thirrje subjekteve që të ndërmarrin masa për çmontimin vullnetar të çdo pengese të ngritur në mënyrë të paligjshme. Në të kundërt, paralajmëroi ndërhyrje me inspektorate, policinë bashkiake dhe atë të shtetit.
“Kush nuk heq vetë strukturat e vendosura pa leje, do të ndëshkohet. Përveç gjobave, do të ketë edhe ndjekje penale për krim mjedisor dhe uzurpim prone publike. Toka e përbashkët nuk është ‘tokë e xanun’”, theksoi Rama.
Ai shtoi se mbështetja masive që Partia Socialiste mori në zgjedhjet e fundit nuk është privilegj, por një përgjegjësi për të vepruar pa asnjë tolerancë ndaj çfarëdo abuzimi që dëmton interesin publik.
Aksioni nis në korrik: Inspektime dhe ndërhyrje pa kthim pas
Gjatë dy javëve të para të korrikut do të kryhet një inventarizim i plotë i shkeljeve në qytetet kryesore të vendit. Më pas, në dyjavëshin e dytë, do të nisë faza e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë për të liruar hapësirat publike dhe për të rikthyer ligjshmërinë.
“Nuk do të ketë më tolerim. Do të përballemi me forcën e ligjit dhe me të gjithë mekanizmat shtetërorë për të rikthyer hapësirat publike në funksion të komunitetit”, përfundoi kryeministri.




