Qeveria britanike ka akuzuar drejtpërdrejt Rusinë për përdorimin e një toksine të rrallë biologjike në rastin e Alexei Navalny, duke pretenduar se analiza laboratorike ka identifikuar epibatidinën në mostrat e marra nga trupi i tij.
Deklarata u bë publike nga Foreign Office, dy vite pas vdekjes së Navalnyt në një koloni penale në Siberi. Sipas autoriteteve britanike, prania e kësaj substance nuk mund të justifikohet me rrethana natyrore apo aksidentale.
Gjatë një paneli në Munich Security Conference, Sekretarja e Brendshme britanike Yvette Cooper deklaroi se “vetëm shteti rus kishte kapacitetin, motivin dhe aksesin” për të përdorur një helm të tillë gjatë periudhës së burgimit të opozitarit.
Moska ka hedhur poshtë vazhdimisht çdo përgjegjësi për vdekjen e Navalnyt. Megjithatë, pretendimet e reja pritet të shtojnë presionin diplomatik dhe mund të çojnë në masa të mëtejshme sanksionuese nga aleatët perëndimorë.
Rasti Navalny mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në marrëdhëniet mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s, ndërsa publikimi i analizave të fundit i jep një dimension të ri debatit ndërkombëtar mbi përdorimin e substancave të ndaluara.




