FSHF, me synimin për të fuqizuar më tej futbollin amator në vend, ka nisur përgatitjet për sezonin e ri 2025–2026 të kampionatit më popullor të këtij niveli – “Sunday League Albania”. Departamenti i Futbollit Amator në FSHF ka hapur zyrtarisht fazën e regjistrimeve, duke ftuar ekipet e interesuara të bëhen pjesë e këtij kompeticioni dinamik dhe gjithnjë në rritje.
Ekipet tradicionale që prej vitesh janë pjesë e kampionatit kanë konfirmuar tashmë pjesëmarrjen, ndërsa dritarja e regjistrimeve vijon të mbetet e hapur edhe për pak ditë. Çdo skuadër e interesuar mund të kontaktojë në adresën zyrtare, për të marrë pjesë në këtë event të shumëpritur nga komuniteti sportiv.
Ky do të jetë sezoni i shtatë i “Sunday League Albania”, një kampionat që jo vetëm ka fituar zemrat e mijëra tifozëve të futbollit të fundjavës, por që nga viti në vit ka shënuar progres të dukshëm në organizim, standarde teknike dhe përfshirje komunitare.
FSHF, përmes strukturave të saj, vijon të mbështesë fuqishëm futbollin amator si një hallkë thelbësore për zhvillimin e sportit në vend. “Sunday League” është kthyer në një platformë unike ku pasioni për futbollin, gara sportive dhe shpirti i bashkëpunimit shkojnë përtej rezultatit final.




