Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm ka caktuar masën e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” për shtetasin me iniciale G.S., drejtor në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, në lidhje me hetimet për atentatin në rrethrrotullimin e Rinasit ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Sheqeri.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata pezullon drejtorin e AMP-së G.S. i cili po hetohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi dyshohet se ka lejuar punësimin e M.Sh. në kundërshtim me ligjin organik nr.128/2021 dhe VKM nr.532, datë 29.07.2022.
Prokuroria ka konstatuar se procedurat e rekrutimit, përfshirë shpalljen e vendit vakant, testimet dhe verifikimet përfundimtare, nuk janë ndjekur. Sipas hetimeve, M.Sh. u punësua brenda katër ditëve pune dhe u pagua deri në datën e ngjarjes, pa u paraqitur në detyrë.
Gjyqtarja Erlanda Agaj pranoi kërkesën e prokurorit Bledar Valikaj, ndërsa i dyshuari do të përballet me gjykatën brenda pesë ditëve.




