Hagë – Po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të cilët janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, deklaroi se Gjykata Speciale është shndërruar në një trup funksional brenda një periudhe të shkurtër kohore, duke theksuar bashkëpunimin e dëshmitarëve pavarësisht presioneve dhe frikës. Sipas saj, Prokuroria pretendon se rreth 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë keqtrajtuar në dhe rreth mbi 50 kampe ndalimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
West sqaroi se kërkesa për dënim nuk lidhet me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por me përgjegjësinë individuale të katër të akuzuarve, duke kërkuar një dënim të përbashkët prej 45 vitesh burg.
Procesi u vijua nga prokurori Alan Tieger, i cili rikujtoi dëshmitë mbi rolin e Thaçit dhe Veselit në organizimin dhe furnizimin e strukturave të UÇK-së, si dhe përshkroi Rexhep Selimin si figurë me ndikim në terren dhe lidhje të hershme me Adem Jasharin.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së konsiderohet një nga proceset më të rëndësishme të drejtësisë ndërkombëtare për Kosovën, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të ketë ndikim të gjerë politik dhe institucional në rajon.




