Një dokumentim i BBC World Service ka treguar punën e njësisë elitare amerikane që identifikon viktima të abuzimit online përmes analizës së detajeve minimale vizuale.
Greg Squire, hetues pranë United States Department of Homeland Security në kuadër të Homeland Security Investigations, u përball me një hetim të ndërlikuar për identifikimin e një vajze 12-vjeçare, të quajtur “Lucy” në dokumentim.
Imazhe shqetësuese të saj shpërndaheshin në “dark web”, një pjesë e enkriptuar e internetit ku përdoruesit mbeten të paidentifikueshëm. Sipas Squire, autori kishte prerë ose modifikuar çdo element identifikues në foto për të “mbuluar gjurmët”, duke e bërë të pamundur përcaktimin e identitetit apo vendndodhjes së vajzës.
Ekipi arriti të kuptojë, nga lloji i prizave elektrike dhe instalimeve të dukshme në sfond, se vajza ndodhej në Amerikën e Veriut. Përtej këtij përfundimi fillestar, nuk kishte të dhëna të tjera konkrete.
Hetuesit kontaktuan Facebook-un, që në atë kohë dominonte rrjetet sociale, duke kërkuar ndihmë për analizimin e fotografive familjare të ngarkuara në platformë. Sipas dokumentimit, kompania deklaroi se “nuk kishte mjetet” për të ndihmuar, pavarësisht teknologjisë së njohjes së fytyrës.
Më pas, ekipi analizoi çdo element të dukshëm në dhomën e vajzës: çarçafët, veshjet, lodrat prej pelushi dhe mobiliet. Një përparim i vogël erdhi kur identifikuan një divan të dukshëm në disa imazhe, i cili rezultoi të ishte shitur vetëm në disa rajone dhe jo në të gjithë SHBA-në.
Kjo zbulim ngushtoi kërkimin në 29 shtete dhe rreth 40 mijë blerës potencialë. “Po flasim për dhjetëra mijëra adresa, dhe kjo është një detyrë jashtëzakonisht e vështirë”, tha Squire.
Sipas BBC World Service, dokumentimi tregon se raste të tilla shpesh zgjidhen jo përmes teknologjisë së avancuar, por nga vëzhgimi i detajeve të vogla në imazhe apo forume komunikimi.




