Iphone 17, dhe interesi për linjën më të re të Apple, ka tejkaluar pritshmëritë, duke ndikuar drejtpërdrejt në afatet e shpërndarjes.
Sipas të dhënave të fundit, modeli më i kërkuar rezulton iPhone 17 Pro Max, për të cilin periudha e dorëzimit parashikohet të shkojë nga 6 deri më 13 tetor.
Ndërkohë, varianti në ngjyrën Deep Blue duket se ka një furnizim më të qëndrueshëm, me disa konfigurime që pritet të dërgohen që nga 24 shtatori.
Pjesa tjetër e linjës – iPhone 17 standard, 17 Pro dhe iPhone Air – raportohet si gjerësisht e disponueshme, çka sugjeron se Apple ka arritur të menaxhojë më mirë furnizimet për këto modele.
Megjithatë, vonesat për Pro Max mund të nënkuptojnë ose një furnizim më të kufizuar nga kompania, ose thjesht një kërkesë më të lartë nga konsumatorët për modelin premium – sidomos për variantin e ri në ngjyrë Portokalli.
Ky skenar nuk është i ri për Apple, pasi modelet më të avancuara zakonisht përballen me kërkesë të menjëhershme që tejkalon ofertën në javët e para të lançimit.




