Lapaj pretendon se nga verifikimi i detajuar i votave, një mandat i dhënë Partisë Socialiste mund t’i kalojë koalicionit të tij. Pas përmbylljes së rinumërimit në qarkun e Tiranës, vëmendja politike dhe mediatike është zhvendosur në Fier, ku sot ka nisur zyrtarisht procesi i rinumërimit të votave për zgjedhjet e 11 majit. Në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë janë hapur 587 kuti votimi, një proces që pritet të sjellë më shumë se thjesht shifra – mund të risjellë edhe lëvizje të rëndësishme në përfaqësimin parlamentar.
Ky është një nga qarqet më të mëdha në vend, që përfaqësohet me 16 mandate në Kuvendin e Shqipërisë, dhe çdo votë mund të jetë përcaktuese për balancën e forcave politike.
Rinumërimi vjen pas një kërkese zyrtare të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, i drejtuar nga juristi dhe kandidati i pavarur Adriatik Lapaj, i cili ka sfiduar rezultatin fillestar të shpallur nga KQZ.
Në rast se rezultati përmbyset, në Kuvend do të hyjë kandidati i koalicionit “Shqipëria Bëhet”, Azmer Duleviç, i cili do të zëvendësojë aktualin Ramion Kurti, përfaqësues i Partisë Socialiste në këtë qark.
Procesi po ndiqet me interes të lartë nga të gjitha palët politike, duke qenë se një mandat i vetëm në një legjislaturë që pritet të ketë dinamikë të fortë parlamentare mund të ndikojë balancat e vendimmarrjes.
FSHF po ndjek nga afër procesin teknik, ndërsa vëzhguesit politikë dhe ndërkombëtarë janë të pranishëm për të garantuar transparencën dhe integritetin e rinumërimit.




