Prokuroria Publike Kombëtare në Holandë ka vendosur një gjobë prej 500 mijë euro ndaj degës holandeze të Louis Vuitton, pas një hetimi të lidhur me rrjetin e shqiptarit nga Saranda, Thanas Bako. Sipas autoriteteve, kompania nuk ka verifikuar siç duhet klientët që kryenin blerje të përsëritura me para në dorë, në kundërshtim me Aktin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit.
Çështja doli në pah gjatë hetimeve ndaj Bakos, i dënuar me 7 vite burg nga Gjykata e Qarkut të Roterdamit në shtator 2024 për pastrim të qindra milionë eurove. Prokurorët theksojnë se një 36-vjeçare përdori mbi 2 milionë euro për të blerë produkte luksi, të cilat më pas dërgoheshin në Kinë për rishitje, në skemën e njohur si “Daigou”.
“Markat luksoze kanë të njëjtat detyrime si bankat për verifikimin e klientëve”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.
Procesi ndaj të pandehurve të tjerë vijon në Roterdam, ndërsa nga 1 janari 2026 në Holandë ndalohen pagesat cash mbi 3 mijë euro. Rasti rikthen në fokus kontrollin ndaj sektorit të luksit në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave.




