Forca të shumta policie janë vendosur këtë pasdite rreth godinës së Kryeministrisë, në prag të protestës së paralajmëruar nga Partia Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në hyrje të institucionit janë instaluar kangjella hekuri si masa sigurie parandaluese, ndërsa në shesh ndodhen edhe dy autobote me ujë, të përdorura më herët nga policia për menaxhimin e turmave gjatë tubimeve me tensione.
Prania e shtuar e efektivëve shtrihet në disa pika përreth godinës, ndërsa protestuesit janë mbledhur në sheshin përballë. Autoritetet nuk kanë njoftuar për incidente deri në momentin e publikimit.
Në protestat e mëparshme janë regjistruar përplasje mes forcave të rendit dhe pjesëmarrësve, çka ka çuar në masa më të forta sigurie në tubimet e fundit në kryeqytet.




