Monumenti NEWBORN në qendër të Prishtinës u mbulua këtë 17 shkurt me 5 mijë emblema magnetike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në një veprim simbolik të ndërmarrë nga platforma “Liria ka Emër”, në ditën e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Sipas organizatorëve, një natë më parë monumenti ishte rrethuar me struktura metalike, duke krijuar një pamje që i referohej simbolikisht izolimit. Në njoftimin publik thuhet se aktivistët “e kanë mbushur atë me emblema të UÇK-së” si shprehje qëndrimi ndaj zhvillimeve në Hagë, ku po vijon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Eliza Hoxha, përfaqësuese e platformës, deklaroi se veprimi synon të adresojë kërkesën e Prokurorisë për dënime deri në 45 vite burg për secilin prej katër të akuzuarve.
Aksioni u zhvillua në hapësirë publike, në një ditë kur në Kosovë po organizohen aktivitete të shumta për shënimin e 17 Shkurtit.




