Deklaratat e Donald Trump vijnë ndërsa Teherani paralajmëron dorëzimin e një draft-marrëveshjeje bërthamore brenda pak ditësh dhe SHBA rrit praninë ushtarake në rajon.
Presidenti i SHBA, Donald Trump, konfirmoi se po vlerëson mundësinë e një sulmi të kufizuar ushtarak ndaj Iranit, në funksion të presionit për një marrëveshje mbi programin bërthamor. “Besoj se mund të them se po e vlerësoj”, deklaroi ai para gazetarëve.
Sipas The Wall Street Journal, skenari parashikon goditje të targetuara ndaj objekteve ushtarake ose qeveritare, pa hyrë në një operacion të gjerë. Ndërkohë, Axios raportoi, duke cituar burime anonime, se në Uashington është diskutuar edhe një plan për eliminimin e Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei dhe Mojtaba Khamenei.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm Abbas Araghchi tha për MSNBC se një draft-marrëveshje do të paraqitet brenda dy ose tre ditësh.
Shtetet e Bashkuara kanë rritur ndjeshëm praninë ajrore dhe detare në Lindjen e Mesme dhe Mesdhe, në zhvillimin më të madh ushtarak në rajon që nga viti 2003.




