Dy senatorë amerikanë kanë paraqitur një projektligj që synon frenimin e reklamave mashtruese në platformat e rrjeteve sociale, duke i detyruar këto kompani të verifikojnë identitetin dhe aktivitetin ligjor të reklamuesve.
Senatorët Ruben Gallego dhe Bernie Moreno kanë prezantuar në Senatin Amerikan projektligjin “Safeguarding Consumers from Advertising Misconduct Act”, i njohur si SCAM Act. Nisma kërkon që platformat sociale të ndërmarrin hapa të arsyeshëm për të parandaluar reklamat mashtruese, në të kundërt do të përballen me masa ligjore nga Komisioni Federal i Tregtisë dhe prokurorët e shteteve.
Ky projektligj ne SHBA parashikon verifikimin e dokumenteve identifikuese të lëshuara nga shteti për reklamuesit ose vërtetimin e ekzistencës ligjore të bizneseve. Gjithashtu, platformat duhet të shqyrtojnë dhe trajtojnë me shpejtësi raportimet për mashtrime nga përdoruesit apo institucionet publike.
“Një kompani që përfiton nga reklamat ka përgjegjësi të sigurohet që ato nuk janë mashtruese,” citohet të ketë thënë senatori Gallego.
Nisma mbështetet nga Shoqata Amerikane e Bankierëve dhe organizata të mbrojtjes së konsumatorëve, përfshirë AARP.




