Kryeministri britanik Keir Starmer ka paralajmëruar ashpërsim të rregullave për aksesin e adoleshentëve në rrjetet sociale, duke përfshirë mundësinë e vendosjes së një moshe minimale dhe kufizime ndaj funksioneve që nxisin përdorimin e vazhdueshëm, si “endless scroll” dhe autoplay.
Gjatë një aktiviteti publik dhe në një postim në platformën e tij Substack, Starmer bëri të ditur se qeveria do të kërkojë kompetenca të reja nga Parlamenti për të vepruar shpejt pas konsultimit mbi sigurinë online.
“Do të marrim kompetenca që na lejojnë të veprojmë brenda muajve, jo viteve,” theksoi ai, duke shtuar se synimi është kufizimi i teknologjive që “ngjisin” fëmijët pas ekranit.
Opsionet në shqyrtim përfshijnë vendosjen e një moshe minimale për përdorimin e rrjeteve sociale, kufizimin e funksioneve që ndikojnë negativisht në mirëqenien e fëmijëve dhe vështirësimin e përdorimit të VPN-ve për të shmangur kufizimet e moshës.
Debati vjen në një moment kur disa vende, përfshirë Australinë, po shqyrtojnë modele më të ashpra rregullatore për mbrojtjen e të miturve në hapësirën digjitale.




