Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar për dy vite nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, pasi ka refuzuar të lejojë, sipas tij, kontroll në zyrën e Presidencës në Prishtinë.
Deklarata u bë gjatë promovimit të librit “Kur heshtja flet” të Prof. Dr. Ahmet Shala. Rama tha se kërkesa për kontroll në institucionin e Presidentit, me argumentin e kërkimit të provave për krime kundër njerëzimit, do të dëmtonte imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Presidentja e Kosovës është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit”, u shpreh Rama, duke shtuar se presioni ka zgjatur dy vite.
Deri më tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga Prokuroria e Specializuar lidhur me deklaratat e kryeministrit shqiptar. Çështja pritet të ketë jehonë në debatin politik në Kosovë dhe rajon.




