SHBA dhe Izraeli godasin Iranin. Ata ndërmorën të shtunën sulme të koordinuara në disa zona, përfshirë kryeqytetin Teheran, në atë që u cilësua si “sulm parandalues”. Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi nisjen e një “operacioni të madh luftarak”, duke theksuar se Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore.
“Forcat iraniane kanë ushtruar terror masiv dhe ne nuk do ta tolerojmë më”, deklaroi Trump gjatë një fjalimi tetëminutësh.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan se identifikuan raketa të lëshuara nga Irani dhe se sistemet e mbrojtjes ajrore po i interceptonin ato. Dëshmitarë në Teheran raportuan shpërthime dhe kolona tymi mbi qytet.
- Autoritetet iraniane njoftuan mbylljen e hapësirës ajrore dhe zhvendosjen e Ajatollah Ali Khameneit në një vend të sigurt. Edhe Izraeli mbylli hapësirën ajrore. Zhvillimet ndodhin në mes të tensioneve mbi programin bërthamor iranian. Stafi britanik është tërhequr nga ambasada në Teheran, ndërsa SHBA ka reduktuar personelin jo-urgjent në Jerusalem.




