Në prag të konferencës së 6-të ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian, janë publikuar pamjet e para nga ceremonia e sotme, ku pritet të hapen katër kapituj të rinj në kuadër të procesit të integrimit europian.
Në aktivitet merr pjesë kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, si dhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.
Kjo konferencë i kushtohet grupkapitullit IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, i cili përfshin sektorë strategjikë për zhvillimin e vendit dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.
Kapitujt që hapen sot janë:
-
Transporti (Kapitulli 14)
-
Energjia (Kapitulli 15)
-
Rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21)
-
Mjedisi dhe klima (Kapitulli 27)
Fushat që trajtojnë këto kapituj ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë kyçe për zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë.
Sipas agjendës, konferenca nis në orën 08:00, ndërsa konferenca për shtyp është planifikuar në 09:15. Pas saj, në orën 10:00 do të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së.
Në përfundim të punimeve do të mbahen fjalime përmbyllëse nga përfaqësuesit e lartë të BE-së, përfshirë ministren e Danimarkës Marie Bjerre, komisioneren Marta Kos, si dhe kryeministrin Rama.
Deri më tani, Shqipëria ka hapur 4 nga 6 grupkapitujt e negociatave: “Themeloret”, “Marrëdhëniet me Jashtë”, “Tregu i Brendshëm” dhe “Konkurrueshmëria dhe Rritja gjithëpërfshirëse”. Hapja e kapitujve të rinj shënon një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.




