Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi të enjten një seri takimesh në Senatin Amerikan, në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara, me fokus forcimin e partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA.
Në Senat, Spiropali u takua me Elissa Slotkin, ku u diskutuan çështje të sigurisë, bashkëpunimi ekonomik dhe koordinimi politik mes dy vendeve. Gjatë takimit u vlerësua edhe roli i komunitetit shqiptar në Michigan në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Ministrja zhvilloi gjithashtu një takim me Gary Peters, bashkëkryetar i Albanian Issues Caucus, strukturë që ndjek interesat e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe marrëdhëniet me Shqipërinë.
Në vijim, Spiropali u prit nga Steve Daines, kryetar i Nënkomisionit për Europën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë, ku u trajtua angazhimi i Shqipërisë në kuadër të NATO. Ajo theksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë transatlantike dhe objektivave të Aleancës.
Më herët gjatë javës, Spiropali zhvilloi takime edhe në Shtëpinë e Bardhë dhe Kongres, ku u diskutua bashkëpunimi në siguri, stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe rritja e investimeve amerikane në Shqipëri.




