Hashim Thaçi, u paraqit më 27 shkurt para Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për aktakuzën e dytë që lidhet me ndërhyrje në drejtësi.
I pyetur nga gjyqtari për qëndrimin e tij, Thaçi u shpreh: “Plotësisht i pafajshëm”.
Në të njëjtën seancë, edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi u deklaruan të pafajshëm për akuzat që u atribuohen.
Më 29 nëntor 2024, gjyqtarja e procedurës paraprake konfirmoi aktakuzën dhe lëshoi katër fletarrestime dhe një fletëthirrje. Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se kanë tentuar në mënyrë të paligjshme të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin për krime lufte ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Çështja zhvillohet paralelisht me gjykimin kryesor për krime lufte, ndërsa proceset në Hagë mbeten në vëmendje të institucioneve dhe opinionit publik në Kosovë dhe rajon.




