Një përplasje mes një motoskafi të Rojës Bregdetare Greke dhe një mjeti të trafikantëve të emigrantëve ka shkaktuar një tragjedi të rëndë në ishullin Xios të Greqisë.
Bilanci i ngjarjes është 15 persona të vdekur dhe 26 të plagosur, mes tyre edhe dy policë grekë. Incidenti ndodhi mbrëmjen e së martës rreth orës 21:30, vetëm disa qindra metra nga bregu.
Sipas autoriteteve greke, motoskafi i trafikantëve, që transportonte të paktën 35 emigrantë, refuzoi të ndalonte pas sinjaleve të Rojës Bregdetare dhe u përplas me mjetin e saj gjatë ndjekjes.
Një grua humbi jetën në spital, duke e çuar numrin e viktimave në 15, ndërsa katër të plagosur ndodhen në gjendje kritike.
Prokuroria greke ka nisur hetimet, ka sekuestruar mjetet dhe armët e përfshira, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta.




